Intervistë me zj. Tetua Rino, presidente e shoqërisë së karburanteve API. Situata aktuale në tregun e karburanteve ka vënë në vështirësi importuesi
Intervistë me zj. Tetua Rino, presidente e shoqërisë së karburanteve API.
Situata aktuale në tregun e karburanteve ka vënë në vështirësi importuesit e karburanteve në vendin tonë. Ata kërkojmë ndërhyrjen e shtetit, pasi në këtë situatë po sakrifikojnë mjaft nga marzhi i fitimit. Ky është një nga problemet kryesore që kanë shoqëritë importuese të karburanteve sot në vend, megjithëse kostoja e gjithë kësaj loje bie në kurrizin e konsumatorit shqiptar. Teuta Rino, presidente e shoqërisë së karburanteve Api ka deklaruar në një intervistë për Monitor se çmimi i naftës nuk do të rritet më shumë se 85 lekë për litër.
Si paraqitet situata sot në tregun e karburanteve?
Rritja e çmimit të karburanteve në tregun botëror sigurisht ka dhënë ndikimin e vet dhe në tregun shqiptar, pasi nafta e importit zë rreth 80% të të gjithë tregut. Armo nuk ka mundësi dhe kapacitete për të mbajtur tregun, pasi zë një pjesë shumë të vogël të tregut dhe benzinën pa plumb nuk e prodhon. Ky ndikim është pasqyruar edhe në tregun e karburanteve në vend po në të njëjtën masë me vendet përreth. Shoqata e karburanteve shqiptare ka diskutuar dhe ka vendosur që të mbajnë në Shqipëri çmime sa më të ulëta, duke pasur dhe marzhet e fitimit të tyre të ulëta. Kanë rënë dakord që të fitojnë 3 lekë për një litër naftë me shumicë dhe 5 lekë për një litër naftë me pakicë. Ky është një fitim minimal në krahasim me xhiron. Imagjino të hedhësh në qarkullim 450 mijë dollarë për të blerë naftën, ndërkohë që fiton vetëm 15 mijë dollarë, duke hequr të gjitha shpenzimet admini-strative, çka është një fitim minimal. Për të eliminuar problemet dhe mbajtur klientelën, shoqëritë e karburanteve kanë gjetur mirëkuptimin e të gjithë importuesve të karburanteve, e cila ka funksionuar siç duhet. Me këto manovrime ne synojmë të mbajmë dhe klientët, pasi baza e punës tonë janë vetëm klientët. Në këtë kuptim ne përpiqemi që t’i mbrojmë klientët tanë, pasi kjo do të jetë një rritje që nuk do të vazhdojë gjatë, por do të jetë një rritje disamujore.
Është përsëritur dhe më parë një krizë e tillë dhe si i keni përballuar kontratat e nënshkruara më parë me klientët tuaj, si entet shtetërore, ashtu dhe ato private?
Nuk është hera e parë që përsëritet një skenë e tillë. Në vitin 2002 ka pasur një fluks tjetër rritjeje dhe çmimi i naftës shkoi deri në 350 USD/ton. Shoqëri të ndryshme të karburanteve nuk e kishin parashikuar këtë rritje dhe i kishin lidhur kontratat dhe me 54 lekë për litër. Ndërkohë që nga kjo rritje e paparashikuar e çmimit të karburanteve ne humbëm 10-15 lekë për litër gjatë 2002-it. Por nuk u bë kaq zhurmë e madhe dhe i mbyllëm kontratat deri në fund. Shumë kompani të tilla që kanë lidhur dhe kontrata me ente të ndryshme shtetërore kanë pasur dhe humbje, por kurrë nuk i kanë kthyer mbrapsht kontratat e nënshkruara për efekt të rritjes së çmimit. Pra, unë them me bindje që nuk ka pasur abuzime nga tregtarët e karburanteve.
Sa ka ndikur kursi i këmbimit në çmimin e naftës?
I vetmi favorizim për shoqëritë e karburanteve gjatë kësaj periudhe ka qenë kursi i këmbimit. Ne na ka ndihmuar mjaft në këto kushte, pasi vërtet nafta në Botë tregtohet me dollarë, por nëse dollari do të ishte i lartë në kuotën 130 apo 140 lekëve, atëherë do të kishte një efekt tjetër në çmim deri në 10 lekë për litër plus. Kursi i këmbimit dhe valutës ka dhënë një ndikim pozitiv. Ne jemi tek 85 lekë për litër në treg dhe do të vazhdojmë ta mbajmë këtë nivel çmimi për naftën, megjithëse gjithçka varet nga bursa ndërkombëtare. Ne si tregtarë karburantesh nuk kemi asnjë lloj fuqie për të bërë diçka, megjithëse me humbje nuk punojmë, pasi nuk ka biznes në Botë të punojë me humbje. Në këtë periudhë kemi parë anën e konsumatorit duke njohur dhe gjendjen ekonomike të vendit, pasi nafta nuk është një mjet luksi që të bombardohet me akciza të larta, por është një mall që ka përdorim të gjerë si për publikun e gjerë dhe për privatët.
Si përllogaritet çmimi i naftës dhe sa është fitimi juaj për litër naftë në këtë periudhë krize?
Çmimit të Platt’s (çmimit që del nga bursa) i shtohet një marzh fitimi të rafinerisë, që shkon nga 20 dollarë për ton, ka një kuotë transporti që shkon nga 20-15 dollarë për ton. Dhe në rastin konkret në Portin e Durrësit me Platt’s-in që kemi marrë ne dje, kostoja na del 76 lekë për litër. Që ta lëvizësh nga porti e ta sjellësh në Tiranë do një transport 1.5 deri në 2 lekë për liter, ta çosh nëpër rrethe do dhe 3 lekë për litër. Të llogarisësh dhe çmimet administrative është katastrofë, pra ne me 85 lekë për litër kemi lënë marzhe qesharake fitimi. Pra, në bazë të një llogaritje sot si asnjëherë tjetër tregtarët e karburanteve janë treguar më bujarë se kurrë, duke vendosur një kuotë të ulët për të mbajtur tregun.
Para disa ditësh drejtori i kompanisë shtetërore ARMO ka deklaruar që gjithë naftën do t’ia shesë enteve shtetërore me 62 lekë për litër. Cili është komenti juaj?
Kjo është një artificë, pasi ARMO nuk ka pse të dalë nën kosto në treg, duke mbajtur në kurriz humbjen, pasi do të humbasë shteti ose Armo, që është një shoqëri shtetërore. Pra, këtu humbet një krah, i cili ka edhe efektin negativ të mbartjes së humbjes nga një ndërmarrje shtetërore që shkon drejt privatizimit, duke i rënë dhe vlera, siç është Armo. Pra, nuk ka një efekt pozitiv. Nga ana tjetër, nuk mundet ARMO të mbajë me karburant institucionet shtetërore, që i kanë makinat luksoze. Pasi me naftë që përmban 0.5% squfur, nuk mund të mbahen makina të klasit të lartë. Ndërkohë, kjo ka dhe një efekt tjetër, pasi duke u prishur makina, shtohet kostoja në mënyrë indirekte, duke paguar për rregullimin e tyre. Pra, kjo është të bësh luftë me privatët, sepse Armo nga klima e tregut aktual nuk ka asnjë humbje. Armo ka 5 punëtorë që marrin thjesht rrogën, ndërsa privatët punojnë për periudhë afatgjatë, sepse duan të ruajnë marzhin e fitimit dhe të rrisin klientelën. Nëse kompanive private u hiqen dhe kontratat, kjo do të thotë që ato të rrinë në hije duke mbyllur aktivitetin e tyre dhe të punojë vetëm Armo, gjë që nuk është e mundur sepse nuk ka kapacitete për të përballuar tregun.
Në kushtet aktuale, sa ju konkurron ARMO?
Armo deri më sot nuk na ka konkurruar. Megjithëse deri më sot Armo është treguar shumë e kujdesshme me çmimet. Ajo ka ndjekur çmimet e tregut. Nuk ka ndonjë ndryshim të madh midis shumicës së Armos dhe të privatëve, pasi lëvizet vetëm me 2-3 lekë për liter, gjë që nuk përbën ndonjë problem të madh. Nëse klienti zgjedh të blejë një mall të mire, nuk e ka problem të rrezikojë për kaq lekë. Armo ka naftë të mirë për t’u përdorur për ngrohjen e institucioneve dhe shteti le t’i japë Armos me prokurim mundësinë e shitjes së naftës për ngrohjen e institucioneve. Armo nuk ka fuqi ta mbajë tregun shqiptar.
Çfarë zgjidhje propozoni ju për të mbajtur nën kontroll çmimin e naftës?
Ka një mekanizëm, që shteti mund të na ndihmojë. Ka një kurs bazë të Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave, që i referohet taksave që zbaton. Pra, në këtë rast shteti ka bërë planifikimin e të ardhurave duke pasur parasysh bursën e karburantit në Londër kur ishte 240 dollarë për ton dhe të gjitha taksat i ka llogaritur mbi këtë bazë. Ndërkohë që me Platt’s-in që është tani, shteti nuk arkëton ato të ardhura të planifikuara por dyfishin e tyre. Pikërisht, këtu mund të ndërhyjë shteti gjatë periudhës së krizës së saj. Drejtoria e Përgjithshme e Doganave mund të zbatojë një çmim fiks për taksat. Kështu referenca e doganës të mos jetë më 440 dollarë për ton sa është sot, por të jetë 240 dollarë për ton, siç u planifikua në momentin e hartimit të buxhetit. Duke zbatuar një taksë të tillë, shteti i merr të ardhurat e parashikuara për buxhetin e shtetit, por në të njëjtën kohë dhe çmimi i karburanteve bie. Këtë lëvizje shteti duhet ta bëjë jo për tregtarët e karburanteve, por për njerëzit e thjeshtë. Nga momenti që shteti ka përcaktuar një referencë më të lartë nga ajo që është reale, nuk kërkon të hartohet një ligj i ri por thjesht të nënshkruhet një udhëzim
“ku të përcaktohet që në periudhën e krizës të përdoret referenca 250 dollarë apo 260 dollarë për ton”. Kjo do të ketë efektin pozitiv tjetër, sepse do të rritet importi, që aktualisht ka rënë mjaft. Ky është i vetmi moment që duhet të ndërhyjë shteti. Pra, të përgatitet taksa doganore mbi çmimin e paracaktuar, gjë që mund të bëhet brenda gjithë kornizave ligjore për të mos krijuar probleme.
Incoming search terms:
- Gjendja e hidrokarbureve në shqipëri
- zitor me çmime të mir
- tregu i karburanteve ne shqiperi
- wikipedia nafta ne shqiperi
- gjendja e naftes ne shqiperi
- hidrokarburet ne shqiperi ndikimi negativ dhe pozitiv i tyre
- GJENDJA E NAFTES NE BOT
- gjendja e karburanteve
- gjendja e karburanteve ne shqiperi wikipedia
- karburanti ne shqiperi
- poizi ia tetuam na
- karburantet ndikimi i tyre
- nafta me e mire ne shqiperi
- nafta me e mire ne tregun shqiptar
- nafta ne ndikimin e shqiperise
- cmimi i karburanteve marzhi i fitimit
- tregu i naftes ne shqiperi
- wikipedja
- lista e importuesve te karburanteve
- Kriza e tregut te karburanteve ne shqiperi
You can follow any responses to this entry through the RSS feed. You can leave a response, or trackback from your own site.
Tagged gjendja e hidrokarbureve në shqipëri, gjendja e karburanteve ne shqiperi, gjendja e naftes ne bot, hidrokarburet ne shqiperi wikipedia, karburante, kontrata, kursi i kembimit, nafta, nafta ne shqiperi, ndotja e ambjenteve nga karburantet, njerezit, shqiperi, tregun e karburanteve, wikipedia nafta ne shqiperi








