Përvoja ndërkombëtare ka treguar se, administratat tatimore në ekonomitë e vendeve në tranzicion, sipas vëzhgimeve, karakterizohen nga tatimpagues dhe
Përvoja ndërkombëtare ka treguar se, administratat tatimore në ekonomitë e vendeve në tranzicion, sipas vëzhgimeve, karakterizohen nga tatimpagues dhe zyrtarë tatimorë të korruptuar, volume të mëdha të transaksioneve me para në dorë brenda vendit dhe në importe, evazion i lartë, borxhe të prapambetura dhe rritje të ekonomisë informale.
Në Shqipëri, një strategji efektive dhe eficiente antikorrupsion mund të ndërtohet vetëm në qoftë se, së pari, vlerësohet fakti që korrupsioni është abuzimi që i bëhet zyrës publike për të fituar privatisht, nëpërmjet vjedhjes së njëanshme të pasurisë publike nga administratorët e saj si dhe transaksioneve shumëpalëshe me anë të të cilëve zyrtarët tatimorë marrin mite. Është kjo një nga arsyet kryesore përse administrata tatimore, shpesh, figuron ndërmjet agjencive të korruptuara qeveritare.
Sipas rekomandimeve të FMN-së dhe Bankës Botërore dhe zbatimit të tyre në disa vende, një strategji që synon luftën kundër korrupsionit, më së pari dhe më së shumti duhet të kufizojë: (1) motivet dhe (2) mundësitë e zyrtarëve tatimorë për të abuzuar me pozicionet e tyre.
Elemente të ndryshëm nga
“menuja” e mundësive, duhet të integrohen në një paketë koherente, e cila përmban, së pari, motivimin bazë: deklaratën e misionit, atë të vizionit të administratës tatimore, karakterin elitë dhe shpirtin e punës së zyrtarit tatimor; së dyti, nxitësit pozitivë: pavarësinë e administratës tatimore, kompensimin lidhur me kryerjen e detyrës, konkurrencën brenda dhe jashtë administratës tatimore, pagën bazë konkurruese, procedurat transparente dhe joarbitrare të shpërblimit; së treti, nxitësit negativë: sanksionet efektive për korrupsionin, një zë më i fortë i tatimpaguesit, i cili duhet të vijë nëpërmjet anketave të pavarura, mbikëqyrjes qytetare; së katërti, elementet e anës së furnizimit me mite: sanksionet efektive për dhënësit e mitës (rryshfetit), institucionet e pavarura për të mbrojtur tatimpaguesin nga ngacmimet dhe presioni për të mos folur, publikimi i ndëshkimeve.
Shpesh, reforma për dekurajimin e korrupsionit ndër zyrtarët tatimorë, mbështetet si një nga mënyrat për arritjen e eficiencës. Rekomandohet gjithashtu gjerësisht, një pagë bazë konkurruese dhe procedura transparente dhe joarbitrare të shpërblimit, por pak ose aspak bëhen analiza për të përcaktuar madhësinë e rritjes së nevojshme të pagës për të zvogëluar korrupsionin. Rritje të tilla mund të vendosin një barrë të konsiderueshme mbi buxhetin e shtetit dhe kur nuk mund të kontrollohen nxitësit pozitivë për zyrtarët tatimorë, atëhere këta stimuj të çojnë në ngacmime të tepërta të tatimpaguesve, të cilët gjithashtu përbëjnë një formë të korrupsionit.
Për këtë arsye dhe për të ndëshkuar veprime të tjera korruptive, nxitësit negativë duhet të plotësohen më mirë me ata pozitivë. Megjithatë, duke përdorur vetëm stimuj negativë, mund të pengohet jo vetëm korrupsioni, por gjithashtu vullneti i zyrtarëve tatimorë për të punuar. Përfundimisht, anketimet e pavarura të tatimpaguesit mund të ndihmojnë për të identifikuar elementë ose madje zyra tatimore individuale ku fshihet një korrupsion i ashpër.
Ç’duhet të bëjë strategjia antikorrupsion
Strategjia antikorrupsion, megjithatë, duhet të bëjë më shumë sesa adresimin e stimujve, me qëllim që mundësitë për korrupsion të mbahen nën fre. Thjeshtimet tatimore, ndoshta, janë metoda më e mirë për kufizimin e mundësisë për korrupsion, të cilat mund të rrisin, gjithashtu, eficiencën ekonomike edhe për arsye të tjera. Reforma tatimore në Shqipëri, si dhe në shumë vende të tjera, zakonisht priret të përqendrohet në uljen e përqindjeve tatimore (për shembull, rastet e uljes së përqindjes së tatimit mbi fitimin në Paketën Fiskale për vitin 2003 dhe 2005 dhe uljes së përqindjes së tatimit të thjeshtuar mbi fitimin në Paketën Fiskale për vitin 2005), në zgjerimin e bazës së tatueshme (për shembull, rritja nga viti në vit i numrit të tatimpaguesve të regjistruar në organet tatimore), por jo aq shumë në eliminimin e përjashtimeve tatimore. Këto reforma tentojnë t’i bëjnë detyrimet tatimore transparente dhe të zvogëlojnë koston e zbatimit të legjislacionit tatimor të tatimpaguesve të ndershëm. Procesi i të tatuarit të marrë me mend (presumtive taxation), i cili nuk kërkon mbajtjen e shumë të dhënave dhe librave, është një prej metodave që mund të zvogëlojë, gjithashtu, fuqinë e lirisë së veprimit të inspektorëve tatimorë, duke i bërë kalkulimet tatimore më të thjeshta dhe më të qarta.
Reformat
Reformat organizative dhe të administrimit, që formojnë një pjesë të strategjisë antikorrupsion, duhet të përfshijnë, gjithashtu, përgjegjësi të ndara të linjave funksionale si dhe të mbështeten mbi procedura transparente të përcaktuara qartë me shkrim. Vënia në jetë me efektivitet e standardeve të tilla, varet nga gjendja dhe zhvillimi i administratës tatimore dhe vetë ekonomisë. Ndoshta, më i rëndësishëm do të ishte një sistem, që kombinon detyra të ndara qartë të kontrolleve nga jashtë dhe nga brenda. Sektorët e kontrollit të brendshëm dhe/ose njësitë antikorrupsion duhet të jenë organizmat më të rëndësishëm brenda administratës tatimore, por ato bëhen joefektivë kur kryejnë të njëjtat procese paralele dhe rutinë, të cilat jo vetëm harxhojnë kot burime njerëzore dhe llogjistike, por kufizojnë efektivitetin dhe eficiencën e burimeve që ka në dispozicion administrata tatimore. Në fund të fundit, administrata tatimore duhet konvertuar në kohën që ajo ka në dispozicion për t’u marrë me zbatimin e legjislacionit tatimor. Kësisoj, si roje të rëndësishme institucionale, jashtë administratës tatimore, duhet të përfshihet një sistem i pavarur dhe efektiv gjykatësish, inspektimet e jashtme nga agjenci të tjera shtetërore, si Kontrolli i Lartë i Shtetit dhe shoqatat e tatimpaguesve (këto të fundit forcojnë zërin qytetar).
Instrumente në luftën
kundër korrupsionit
Shmangia e kontakteve shumë të shpeshta ndërmjet tatimpaguesve dhe zyrtarëve tatimorë (për shembull, ndryshimi i fundit në Paketën Fiskale për dhënien tatimpaguesve pa kushte, në çdo kohë të formularëve tatimorë) dhe mbështetja në tatimet e mbajtura në burim (për shembull, ndryshimi përkatës për mbajtjen e tatimit në burim në Paketën Fiskale për vitin 2005), rritjen e përdorimit të të dhënave nga palët e treta për vlerësimin tatimor dhe privatizimin e funksioneve të përzgjedhura të administratës tatimore, janë instrumente të rëndësishëm në luftën kundër korrupsionit. Automatizimi efektiv i procedurave lehtëson, gjithashtu, kontaktin më të pakët dhe rrit eficiencën administrative.
Zyrtari me sytë e qytetarit
Që çdo qytetar të ketë besim të plotë në ndershmërinë e punonjësit dhe vetë Administratës Publike, duhet të shohë qartë me sytë e tij që zyrtari tatimor, pavarësisht nga pozicioni i tij personal, respekton dhe u përmbahet parimeve themelore të një shërbimi etik që shprehet në rastet e mëposhtme:
Për shembull, administrata tatimore, si pjesë përbërëse e tërësisë administrative të shërbimit publik, përfaqëson një prej formave të besimit publik, gjë që kërkon nga punëmarrësit e kësaj administrate gjatë ushtrimit të detyrës të dëshmojnë besnikërinë e tyre në zbatimin e legjislacionit tatimor. Besnikëria në zbatimin e legjislacionit tatimor do të dëshmohej në qoftë se punëmarrësit e kësaj administrate nuk do të kishin interesa financiare, të cilat bien ndesh me kryerjen në mënyrë të ndërgjegjshme të detyrës. Për shembull, punëmarrësit e kësaj administrate nuk duhet të angazhohen në transaksione financiare, të cilat bëjnë të mundur që për interesa private ata të shfrytëzojnë informacionin e fituar nga tatimpaguesit ose operatorët ekonomikë gjatë ushtrimit të detyrës për zbatimin e legjislacionit tatimor.
Zyrtari tatimor, përveç rasteve që janë përjashtuar në mënyrë të arsyeshme dhe mbi bazën e rregullave të përcaktuara rigorozisht, as duhet të kërkojë dhe as duhet të pranojë dhurata, ose mjete të tjera me vlerë monetare prej personave fizikë, ose juridikë që kërkojnë që, ajo ose ai të veprojë ose të mosveprojë, ose të bëjë biznes me ata, duke kryer veprime të cilat nuk lejohen nga ligji, sidomos në rastet kur interesi i punëmarrësit mund të ndikohet shumë nga veprimi ose mosveprimi i tij.
Zyrtarit tatimor i kërkohet që të bëjë përpjekje të ndershme në kryerjen e detyrës së tij, por këto përpjekje nuk do të mund të vlerësoheshin në qoftë se nuk ekzistojnë procedura transparente në veprimet e tij për zbatimin e ligjit, udhëzimit dhe praktikës zyrtare, të cilat do të ishin të kontrollueshme jo vetëm nga organet e kontrollit të brendshëm të këtyre administratave, por edhe nga vetë tatimpaguesi ose operatori ekonomik në zyrën e tatimeve. Në këtë kurs arsyetimi, zyrtari tatimor nuk duhet të bëjë premtime ose të angazhohet në çdo lloj nënkuptimi, pa qenë i autorizuar, për punë që lidhen me zbatimin e ligjit. Këtu do të përfshiheshin edhe ato raste kur, zyrtari tatimor tenton ta përdorë zyrën e tatimeve për t’i krijuar vetes ose të tjerëve përparësi dhe/ose përfitime private.
Nga zyrtari tatimor kërkohet që ai të veprojë në mënyrë të paanshme dhe të mos trajtojë në mënyrë preferenciale asnjë person fizik ose juridik, vendas ose të huaj; që ta mbrojë dhe ta ruajë pronën shtetërore dhe ta përdorë atë veç për veprimtari të autorizuara; ai nuk duhet të punësohet tek tatimpaguesit, duke përfshirë këtu kërkimin dhe negociatat për punësim, të cilat mund të bien ndesh me përgjegjësitë dhe detyrat e tij shtetërore. Zyrtarit tatimor i kërkohet që të jetë besnik në zbatimin e legjislacionit tatimor, me qëllim që të sigurojë mundësi të barabarta për të gjithë tatimpaguesit; atij i kërkohet të shmangë çdo veprim që krijon përshtypjen se ai po shkel ligjin ose nuk po zbaton standardet etike që u përshkruan më lart.








